Ditën e djeshme, më datë 23.01.2025, në ambientet e Shërbimit Zjarrfikës Tropojë u zhvillua një takim i rëndësishëm për dorëzimin e pajisjeve dhe veshjeve për punonjësit e këtij shërbimi. Në këtë aktivitet morën pjesë Shoqata Shqiptare për Mbrojtje nga Zjarri dhe Shpëtimi (AFPRA), në bashkëpunim me Shoqatën International Fire & Rescue Association (IFRA) me bazë në Skoci dhe Shoqatën VAFFFA nga Austria. Falë kontributit të përbashkët të këtyre tre organizatave, u bë i mundur pajisja e Shërbimit Zjarrfikës të Tropojës me një sasi pajisjesh teknike dhe materiale zjarrfikëse të domosdoshme për përballimin e emergjencave.
Një rol të veçantë në këtë iniciativë pati Ambasada Britanike në Tiranë, përfaqësuar nga z. Nathan Dann dhe z. Vasyl Chornyl, koordinator i projektit “Perspektiva të reja” të UK International Development. Ata shprehën angazhimin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
I pranishëm ishte gjithashtu z. Besnik Hysaj, Drejtor i Mbrojtjes Civile për Rajonin e Veriut, i cili vlerësoi lartë punën e Bashkisë Tropojë për përballimin e emergjencave nga zjarret. Ai theksoi se Bashkia Tropojë është e vetmja në nivel kombëtar që ka arritur të jetë plotësisht e gatshme me kapacitetet njerëzore të deklaruara, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.
Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të Bashkisë Tropojë, shefi i Shërbimit Zjarrfikës, Drejtori i Pyjeve dhe Kullotave, dhe Përgjegjësi i Emergjencave Civile Tropojë, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për këtë ndihmë të vlefshme.
Të gjitha palët u dakordësuan për të vazhduar bashkëpunimin në mbështetje të këtij shërbimi jetik për komunitetin.